Policia e Kosovës ka ndaluar 12 persona, 10 prej të cilëve të mitur, që kanë hyrë në Mitrovicë të Veriut me vetura që kishin simbole kombëtare. Të njëjtit dyshohet se janë sulmuar më pas me gurë nga disa serbë.
Lajmin e ka konfirmuar Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut.
Elshani tha se të njëjtit janë ndaluar për shkak të kundërvajtjes në trafik – mospajisje me dokumente përkatëse dhe tejkalimit të numrit të pasagjerëve në një veturë.
“I kemi ndalu dy kerre, në njërin kerr kanë qenë pesë të mitur në kerrin tjetër kanë qenë shtatë persona. Ende nuk ka ndonjë vepër, përveç për patentë shofer e kundërvajtje në trafik, për ketë punë jemi duke u marrë me ta”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Eljshani, tha për mediumin serb “Kosova Online” se Policia e Kosovës ka arrestuar gjithsej 11 persona për shkak se “kanë hyrë me makinë në veri të Mitrovicës dhe kanë provokuar qytetarët atje me flamujt dhe stemat e Kosovës.”
“Gjatë gjithë ditës, për shkak të festimit të festës së Pavarësisë, kemi pasur raste të kthimit të njerëzve në pjesën jugore të Mitrovicës për shkak të flamurit në vetura apo stemës së Kosovës”, ka shtuar ai për mediumin serb.
I pyetur nëse policia ka reaguar pas denoncimit të një qytetari, Eljshani tha se askush nuk ka raportuar asgjë.
“Veturat i kemi parë në kamera, të cilat i kanë pikasur edhe policët që ishin në rrugë dhe më pas i kanë ndaluar”.
“Me shumë mundësi do të lirohen. Gjatë gjithë ditës po kthejmë mbrapsht njerëzit që tentojnë të provokojnë me flamuj apo emblema. Mirëpo, këto tre automjete kanë humbur në shenjë, për këtë arsye janë ndaluar. I bëj thirrje njerëzve që nëse vërejnë raste të reja të provokimit të thërrasin policinë dhe të mos e marrin ligjin në dorë”, ka përfunduar Eljshani për median serbe “Kosovo Online”..