Nga: Prend Buzhala

(Ose: kur poeti, me poezinë e mbramë të tij, mbyll Portën e Jetës dhe e hap Portën e Përjetësisë)

I prekshëm ky lajm sot: shkoi në amshim Adem Gashi! Edhe lajmi e paska trandjen e vet! Është humbje e madhe për botën letrare e kulturore, për shkak të thesarit të çmueshëm të krijimtarisë së tij letrare për letrat tona, për shkak se veprat e tij, prej viteve ’80 e këndej, kur e boton librin e parë poetik; hyjnë në formimin e identitetit tonë kulturor, me thellësitë dhe ndërliqësitë e përvojave jetësore e krijuese që solli; për shkak të ndikimit te krijuesit e lexuesit; për shkak se Fjala e Tij ka nxitur reflektime, dhe, më në fund, për shkak se veprat e tij do të jetojnë përgjithmonshëm dhe e pasurojnë trashëgiminë intelektuale e krijuese ndër ne.

1.

Po na ikin aristokratët e Fjalës Shqipe, siç ishte Ademi.
Maestro i jetës dhe Fjalës. I jetës: sepse te personaliteti i tij do ta vëreje Njeriun që udhëhiqet nga një harmoni e thellë, sepse njihte vlerat sublime të jetës, miqësisë, krijimtarisë, vlerat e shpirtit të kombit, të kohëve që i jetuam e përjetuam: ai ishte aty ku duhej, edhe me sakrificën e vet, kur u burgos për Republikë që më 1982.
Aristokrat i Fjalës: lexuesit sa herë i kanë lexuar shkrimet e tij, shkrimin e Fjalës së Tij dhe Shqiptimin Publik të saj nëpër auditoriume, Ajo Fjalë shkëlqente ndryshe nga ajo e të tjerëve.
Është Fjala e Virtytit të Artit, Fjala e Virtytit të Intelektit. Mbi të gjitha, i Intelektit Krijues (risitë që sillte në artin e thënies poetike, prirjen krijuese për t’i dhuruar mundësitë e pakufishme të dijes dhe shprehjes në Artin e Shkrimit, origjinaliteti personal në shkrim për t’i lidhur dhe ndërthurur idetë e ndryshme nga fusha të ndryshme për të krijuar diçka të re e progresive). Edhe kur shkruante tekste këngësh për luftën e UÇK-së e dëshmorët, Fjala e Tij ndryshe kishte atë shkëlqim të plotë e që kumbonte po me atë dritë fjalësh në këndimin e rapsodëve tanë.
Poezia e tij, po ashtu është e fisme, e radhës së kësaj Aristokracie të Shprehjes, te librat e tij poetikë: Pa ombrellë (1982), Duke punuar autoportretin (1985), Realiteti objektiv (1990), Ëndrra të liga (1995), Dorëshkrim i djegur (2000), Lulet e vetmuara (2001/2002), Lady mak(th)beth (2006), Kthimi i pamundur, lady), (2013), Labirintet e makthit ,lady 3,(2015), S’i duhet kujt gjaku im (2016), Shi dhe zog i vetmuar (2016), Ditët pa gjë (2017), Vizatimi i vetmisë në letrën e bardhë (2017), Drenushë e trembur dimrash (2018), E shjrueme për kyreshpendin (2019), Ndeza një qiri (2019), Edhe mund të gjeja një titull tjetër (2021), Është vonë diçka të ndreq (2021)… apo te romanet A…ZH – vetëtimat e nëntorit (2005) dhe Dita tjetër e jetës (2014); te vëllimet me tregime Vdekja e mixhës (1987), Pëllumbi i paqes (1989), Udhëtimi i fundit (2002) dhe Lakorja e fatit (2020), si dhe te vëllimet eseistike, studimore e me vështrime Nostalgjia e letrës (2003) dhe Portali i fshehtë i jetës (Shënime nga shtëpia e Heinrich Bëll-it) 2007.

2.

(Intermexo: Kam pasur rast disa herë të shkruaj për librat e tij letrarë. Si autor e njihja që nga vitet ’70, kur botonte në shtypin tonë, kurse në vitet ’80 shiheshim ndonjëherë. Dekadave të fundit jemi gjendur shpesh bashkë me kumtesa në përurime librash -ai parapëlqente fjalën përurim e jo promovim, – në orë letrare e besa edhe anëtarë jurie. Sa herë dilja në Prishtinë, e shihja në Edi 2, këmbenim librat e njëri-tjetrit e ndonj fjalë për krijimtarinë letrare, situatat, fenomenet… Para dy ditësh, kur isha në orën letrare në Shtimje që i kushtohej Masakrës së Reçakut, e prisja edhe Ademin, por një mik i tij më njoftoi aty se Ademi gjendet në spital. Me njoftimin që kisha marrë nga organizatori, njoha jo vetëm mailin e Ademit, por me ne aty ishin edhe vargjet e tij, ani se ai mungonte. Isha mësuar që t’i njihja tekste poetike të autorëve të veçantë fare pa e lexuar emrin e tij. Aty ishte jehona e vargjeve të tij…si një jehonë që po përcillte përjetësinë).

3.

Pothuajse, brenda javës, shpesh i lexoja poezitë e tij në profilin e rrjetit social. Poezia e fundit që shkroi para disa ditësh, mban titullin sinjifikues “Para një lufte” (ani se ai nuk e kapërceu Pragun e Vështirë). Mbase, ishte beteja e tij e fundit me jetën. Me të papriturat e saj, me parandjenjat e saj. Ja poezia:

PARA NJË LUFTE

do ta lodh gjumin në ngasjen e tij
që të mos më marrë përdore
me një ëndërr të lodhur
të më shpjerë te porta jote e mbyllur
megjithëse s’e kam të lehtë
t’i bëhem shok zogut të neveritshëm të natës
që cicërimën e bën klithmë
po ia dola kësaj lufte përmbytëse
mund të shpall me krenari
ngadhënjimin përballë dytësit
kujtime të mira janë plagët e labirintit
pastaj
kur vijnë në ditët me diell
s’të duhet gjë krenaria me hejbe
derisa fituesi je ti

Edhe këtu, te kjo poezi ndër të fundit, e lexojmë forcën e fjalës poetike të ndërthurur me jetën. Jeta e poezia bëhen një. Bëhen një me përjetësinë. “Fjala e një njeriu është hija e tij; ai vazhdon të jetë i pranishëm përmes fjalëve të tij edhe kur nuk është fizikisht aty” do të thoshte nobelisti e shkrimtari i shquar amerikan John Steinbeck. Kjo hije tashmë ndjehet te poezia e mësipërme. E lexojmë QËNDRIMIN E VENDOSUR të poetit përballë sfidës së rëndë në luftë me jetën. “lufta” këtu është një metaforë për pengesat e vështirësitë e jetës. Aty lexojmë një vullnet të fortë për ballafaqim me këto sfida, kurse përballja me gjumin e ëndrrën e lodhur pikësynoi në qëllimin:

do ta lodh gjumin në ngasjen e tij
që të mos më marrë përdore
me një ëndërr të lodhur

Përballja me gjumin dhe ëndrrën e lodhur është një imazh i fuqishëm që përshkruan përpjekjet intensive dhe vullnetin për të kaluar nëpër këto sfida dhe vështirësi.
Edhe nëse e mbylli Portën e Jetës, ai hapi Portën e Përjetësisë.

të më shpjerë te porta jote e mbyllur
megjithëse s’e kam të lehtë
t’i bëhem shok zogut të neveritshëm të natës
që cicërimën e bën klithmë

Ai e shite përpara atë Portë të Mbyllur, si simbol pamundësie. E rëndësishme është se ai ishte i gatshëm për të gjitha, edhe për kapërcimin e kësaj sfide. Tortura është e rëndë, por aty e shohim Fituesin (“derisa fituesi je ti”). Ditët me diell vijnë me Fituesin e Saj. Aty janë Shpëtimi dhe Fituesi:

mund të shpall me krenari
ngadhënjimin përballë dytësit
kujtime të mira janë plagët e labirintit
pastaj
kur vijnë në ditët me diell
s’të duhet gjë krenaria me hejbe
derisa fituesi je ti

U arrit gjithçka që duhej. Kur e lexojmë shqiptimin poetik për ditët me diell, krenaria nuk është e nevojshme, pasi poezia e përfundon me një mesazh të thellë për përvojën e fitores. Mundi e kishte vlerën e vet. Mu ashtu siç e ka edhe përjetësia e poetit, së bashku me Artin e Librin e tij.

Ngushëllime familjarëve, të afërmve, miqve krijues!
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

16 janar 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *